Tirana, zemra e Shqipërisë, po ngjitet gjithnjë e më shumë në listat e destinacioneve të preferuara për pushime urbane të britanikëve që kërkojnë eksperienca të veçanta pa e rënduar xhepin. E përditshmja britanike “Express”, përmes një artikulli të gazetarit Grace Piercy, e ka vlerësuar Tiranën si një nga qytetet më të përballueshme dhe më interesante për t’u vizituar në Europë këtë vit.
Sipas artikullit, kryeqyteti shqiptar ofron një përzierje unike të historisë, kulturës dhe jetës moderne me kosto shumë më të ulët krahasuar me destinacionet klasike evropiane. Tirana rekomandohet veçanërisht për udhëtarët me buxhet të kufizuar, të cilët kërkojnë të eksplorojnë, të shijojnë ushqimin lokal dhe të përfshihen në jetën dinamike të qytetit.
Kulturë me çmime simbolike
Një nga avantazhet më të mëdha të Tiranës është qasja e lirë në aktivitetet kulturore. Sipas të dhënave të cituara nga “Time Out”, vizita në atraksionet kryesore si muzetë Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 kushtojnë vetëm 2,5 deri në 5 paund. Të vendosura në ish-bunkerë të regjimit komunist, këto muze ofrojnë një pasqyrë të thellë të jetës nën diktaturën e Enver Hoxhës dhe janë kthyer në pika të domosdoshme për çdo vizitor të huaj.
Jetë nate e gjallë dhe ushqim tradicional
Blloku – dikur një lagje e ndaluar për qytetarët e zakonshëm – sot është zemra e jetës së natës në Tiranë. Me kokteje që kushtojnë 6-7 paund dhe ambiente të dizajnuara modernisht, kjo zonë është një tjetër arsye pse Tirana po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të rinj.
Edhe për gastronominë, qyteti ofron një gamë të gjerë zgjedhjesh – nga byreku i thjeshtë në furrat tradicionale, deri te pjata të pasura me mish qengji apo perime të stinës. Një vakt i bollshëm për dy persona mund të kushtojë mesatarisht 21-25 paund.
Akomodimi dhe transporti – miqësor me buxhetin
Tirana është gjithashtu një destinacion ideal për sa i përket çmimeve të akomodimit. Një “Airbnb” i thjeshtë me një shtrat mund të kushtojë rreth 40 paund nata, ndërsa udhëtimi nga Londra përmes linjave të fluturimeve me kosto të ulët si “Wizz Air” dhe “Ryanair” zgjat vetëm pak më shumë se tre orë.
Për ata që qëndrojnë më gjatë, Tirana ofron mundësi të shumta për të bërë udhëtime ditore, si për shembull në Durrës, një qytet bregdetar i afërt, ose në fshatrat piktoreskë të veriut.
Pamje mbresëlënëse nga Mali i Dajtit
Një përvojë e veçantë për vizitorët është ngjitja në majën e Malit të Dajtit, i cili arrihet lehtësisht përmes teleferikut. Aty, turistët mund të shijojnë një panoramë të mrekullueshme të qytetit dhe të angazhohen në aktivitete të ndryshme në natyrë, të përshtatshme edhe për familjet me fëmijë.


