Pavarësisht vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën “arrest në shtëpi” për Kreshnik Farrukun (i njohur ndryshe si Kreshnik Budlla), Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Bradashesh, vijon të mbajë në paraburgim të arrestuarin, duke mos e zbatuar ende vendimin.
Vendimi për arrest në shtëpi ishte marrë fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë në kuadër të procedurave të ekstradimit drejt Italisë dhe u konfirmua më pas nga Gjykata e Lartë. Megjithatë, autoritetet në Elbasan pretendojnë mungesë të dokumentacionit ligjor, çka pengon lirimin dhe transferimin e Farrukut në arrest shtëpie.
Burime pranë IEVP-së deklarojnë se nuk mund të kryejnë asnjë veprim pa mbërritjen zyrtare të vendimit nga Gjykata e Lartë. Familjarët e Farrukut e kanë cilësuar situatën si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Kreshnik Farruku është një emër i njohur për drejtësinë europiane, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash, vjedhje banesash, dhe i hetuar për përfshirje në një vrasje në Spanjë në vitin 2010. Ai është arrestuar në Madrid në 2019 dhe ka qenë subjekt i disa vendimeve gjyqësore në Shqipëri, Spanjë dhe Itali.
Në vitin 2012, ndaj pasurive të tij u vendos sekuestrim preventiv prej rreth 1 milion euro, përfshirë prona në Gjirin e Lalzit dhe llogari bankare.


