Elon Musk ka sulmuar ashpër Bill Gates gjatë një interviste në Forumin Ekonomik të Katarit të organizuar nga Bloomberg, duke e cilësuar themeluesin e Microsoft-it si një “gënjeshtar të madh” dhe duke vënë në dyshim integritetin e tij moral.
Musk tha se Gates nuk ka asnjë të drejtë të flasë për çështje që lidhen me mirëqenien e fëmijëve, duke nënkuptuar lidhje të dyshimta të tij me Jeffrey Epstein. “Nuk do ta lejoja të kujdesej për fëmijët e mi”, u shpreh ai.
Kreu i Tesla dhe SpaceX denoncoi “sulmet masive” që po ndërmerren ndaj tij dhe kompanive që ai drejton, duke paralajmëruar se “disa njerëz do të përfundojnë në burg dhe e meritojnë”.
Ai tha se është përballur me kërcënime për jetën, por theksoi se nuk ka ndjerë ndonjë pendesë për përfshirjen e tij politike dhe qëndrimet e ndërmarra. “Bëra atë që duhej të bëja. Ata që më sulmojnë janë në anën e gabuar të historisë”, deklaroi Musk.
Ndër të tjera, ai u pyet edhe për marrëdhëniet me presidentin rus Vladimir Putin, duke sqaruar se ka folur vetëm një herë me të – në një video-thirrje pesë vite më parë.
I pyetur nëse do të mbetej CEO i Teslës pas pesë vitesh, Musk u shpreh i vendosur: “Patjetër, vetëm nëse vdes nuk do jem CEO.”


