Procesi i numërimit të votave të diasporës për qarkun e Shkodrës është shoqëruar me parregullsi, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe integritetin e rezultatit.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për këtë qark kanë mbërritur 13,533 zarfe me vota nga diaspora, ndërsa në tabelat përmbledhëse të publikuara nga vetë KQZ rezulton se janë numëruar 13,959 vota, pra 426 më shumë sesa materiali i ardhur zyrtarisht nga jashtë vendit.

Për më tepër, në video të shpërndara nga media dhe vëzhgues të pavarur, shihen fletë votimi të shpërndara në tokë, në vend që të përpunohen mbi tavolina siç parashikojnë procedurat zgjedhore. Disa prej këtyre fletëve raportohet se janë të pavlefshme ose të papërdorura, ndërsa origjina dhe statusi i tyre mbetet i paqartë.


