Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) ka ngritur alarmin për dyshime të rënda manipulimi në disa qendra votimi në Njësinë nr. 9 të Tiranës, që i përkasin KZAZ nr. 40. Në një shkresë zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PD kërkon urgjentisht vënien në dispozicion të pamjeve filmike nga kamerat e monitorimit në gjashtë qendra votimi, ku sipas saj janë konstatuar elementë të fenomenit të njohur si “Treni Bullgar”.
Sipas pretendimeve të PD-së, në një nga kutitë e votimit janë gjetur fletë që mbajnë të njëjtën palosje, të njëjtat vula dhe të njëjtat defekte strukturore – çka përbën një tregues se mund të jenë futur nga e njëjta dorë, për qëllime manipulimi.
Më tej, në një tjetër kuti janë konstatuar fletë me ngjyrë të ndryshme nga ajo e fletëve zyrtare të miratuara nga KQZ, një fakt që sipas opozitës përforcon dyshimet për ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor.
Në letrën zyrtare drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, PD thekson:
“Çdo devijim nga standardi i miratuar për fletën e votimit është i papranueshëm dhe i dënueshëm sipas ligjit.”
PD-ASHM kërkon nga KQZ pamjet filmike të këtyre qendrave votimi në KZAZ nr. 40:
QV nr. 1972-00
QV nr. 1973-00
QV nr. 1974-00
QV nr. 1974-01
QV nr. 1975-00
QV nr. 1975-01
Opozita kërkon sqarim të menjëhershëm të situatës, ndërsa publikimi i videove mund të zbardhë nëse është cenuar integriteti i procesit zgjedhor në kryeqytet.

“Treni bullgar”, si fenomen i manipulimit të zgjedhjeve është përdorë për herë të parë në Bullgari.
Votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër. Në këtë mënyrë ishte vjedhur vota në vitin 2007 në Bullgari.


