Një krim i rëndë ka tronditur qytetin e Prizrenit më 6 maj, ku një shtetas turk, 44-vjeçari M.G., akuzohet për vrasjen e vajzës së tij 14-vjeçare dhe plagosjen e vajzës tjetër 10-vjeçare dhe bashkëshortes së tij. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, menjëherë pas faljes së namazit të sabahut, në banesën e familjes në rrugën “Shote Galica”.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Prizren, M.G. ka hyrë në dhomën ku flinin vajzat e tij dhe i ka sulmuar me një thikë bajonet. Vajza e madhe, Sh.G., u godit disa herë në qafë dhe humbi jetën në vend. Vajza tjetër, A.G., ka marrë plagë të rënda, ndërsa më pas autori ka sulmuar edhe bashkëshorten e tij, R.G., duke e goditur në fytyrë dhe duar. Gjatë sulmit, ai thuhet t’u ketë thënë: “Vajzat tona duhet të vdesin dhe të gjithë duhet të shkojmë në xhenet”.
Pas arrestimit, ndaj të dyshuarit u ngritën tre akuza: “vrasje e rëndë”, “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje e armës së ftohtë”. Ai dyshohet se ka vepruar me paramendim dhe në mënyrë të dhunshme brenda ambienteve të familjes së tij.
Gjykata Themelore në Prizren vendosi masën e paraburgimit për 30 ditë për të pandehurin, duke e konsideruar rrezik për shoqërinë dhe duke theksuar peshën e rëndë të veprave penale të kryera.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa opinioni publik është tronditur nga kjo tragjedi familjare me pasoja fatale.


