Një ngjarje tragjike ka tronditur sot fshatin Pla në Has, ku 34-vjeçari Ryshyt Sallahu u ekzekutua me breshëri armësh zjarri nga Ylber Jaku, një 41-vjeçar që vetëm mëngjesin e sotëm ishte kthyer nga Anglia. Viktima ndodhej në automjetin e tij kur u qëllua me 8 plumba, duke humbur jetën në vend. Mjeti doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal anësor.
Ngjarja është kulmimi i një konflikti të gjatë, të trashëguar ndër vite, mes dy familjeve që pretendojnë të njëjtën pronë – një rrugë në fshat. Sipas banorëve, që hezitojnë të flasin publikisht, përplasjet kanë nisur që 20 vite më parë dhe janë përshkallëzuar herë pas here, me tensione dhe incidente të përsëritura. Një ditë më parë, motra e viktimës, 21-vjeçarja A. S., u arrestua nga policia pasi goditi me shkop prindërit e autorit të sotëm – një incident që shumëkush në komunitet e pa si paralajmërim për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Sipas Policisë së Kukësit, 21-vjeçarja akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “plagosje të lehtë me dashje”, pasi goditi bashkëshortët A. J., 65 vjeç, dhe V. J., 60 vjeçe. Të dy u dërguan në spital, ku burri mori mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gruaja vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes së sotme, autori Ylber Jaku u arrestua nga policia, por tragjedia e ndodhur ngre pikëpyetje të rënda për rolin e institucioneve dhe mungesën e ndërhyrjes parandaluese në një konflikt që ishte i njohur dhe i dokumentuar.


