Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe të Interpol Ankarasë dhe Interpol Athinës, ka përfunduar me sukses ekstradimin e dy shtetasve të huaj, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ekstradimi drejt Turqisë
Burak Kara, 39 vjeç, lindur në Turqi, u ekstradua drejt vendit të tij pas një vendimi të Gjykatës së Mersinit në vitin 2022, e cila e dënoi me 8 vjet e 4 muaj burgim për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë ndaj një shtetaseje turke në vitin 2011. Krimi dyshohet se është kryer në një banesë në qytetin e Mersinit, ndërsa autori ndodhej në gjendje të dehur. Kara kishte edhe rreth 4 vite e gjysmë dënim të pashlyer.
Ekstradimi drejt Greqisë
Ndërkohë, shtetasi bullgar I. A., 59 vjeç, u ekstradua drejt Greqisë, ku përballet me akuza për ndërmjetësim në birësime të paligjshme. Hetimet tregojnë se ai, në bashkëpunim me persona të tjerë, rekrutonte gra shtatzëna që ndodheshin në kushte të vështira ekonomike dhe i çonte në Greqi për të lindur, ndërsa më pas ndërmjetësonte shitjen e foshnjave për shuma që varionin nga 2000 deri në 4000 euro për rast. Ai u ndalua nga Policia Kufitare në pikën kufitare të Korçës.
Operacionet u zhvilluan në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore.


