Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në zonën e Rolling Hills në Farkë, ku një 19-vjeçar është dhunuar barbarisht nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas burimeve policore, viktima e dhunës është shtetasi Kristi Fufi. Të rinjtë agresorë kanë mbërritur me automjet, prej nga kanë nxjerrë shkopinj dhe sende të forta për të sulmuar Fufin. Fillimisht nuk e kanë gjetur jashtë dhe kanë hyrë në një lokal pranë, ku më pas e kanë kapur dhe dhunuar.
Dyshohet se një prej tyre mbante edhe një armë zjarri, por fatmirësisht nuk është përdorur. I riu ka pësuar dëmtime në kokë dhe trup dhe ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve.
Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15 dhe se grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.


