Një shtetas nga Kosova dhe një tjetër nga Zvicra kanë përfunduar në prangat e policisë zvicerane pasi tentuan të mashtrojnë një të moshuar për ta vjedhur, por ranë vetë në kurth.
81-vjeçarja në Meilen mori një thirrje telefonike në telefonin e saj fiks nga një burrë i panjohur mër 13 shkurt. Policia kantonale e Zyrihut ka shkruar në një deklaratë të enjten se ai ishte paraqitur si një detektiv policie.
I panjohuri i kishte treguar gruas një histori fiktive rreth hetimeve të supozuara për hajdutët.
Me thirrje të mëtejshme, ku ishin përfshirë edhe persona të tjerë të panjohur që paraqiteshin si punonjës bankarë apo prokurorë publikë, ata u përpoqën të fitonin besimin e të moshuarës për ta detyruar të tërhiqte pasuri të mëdha nga banka.
E moshuara, ndërkohë ka raportuar në policinë e Zyrihut dhe ka thënë se kishte marrë disa telefonata nga mashtrues të dyshuar. Mashtruesit e kishin udhëzuar atë që të tërhiqte një shumë të madhe parash nga banka e saj, një pjesë të shumës ta këmbente me shufra ari dhe ta kishte gati për arkëtim.
Mëngjesin e së martës, mashtruesit e dyshuar telefonikë kanë telefonuar sërish të moshuarën dhe kanë njoftuar se do të vijnë të mbledhin arin dhe paratë me vlerë prej dhjetëra mijëra franga, shkruan 20minuten.ch. Ajo la një pako para derës së banesës së saj si karrem.
Atë mbrëmje pas orës 17:00 u shfaq një burrë dhe mori pakon që gruaja e moshuar kishte lënë para derës së banesës dhe u largua. Hetuesit e policisë së Zyrihut po e vëzhgonin personin e panjohur më parë. Më në fund, rreth orës 19:30 në Olten, ata mundën ta vëzhgonin atë duke dorëzuar pakon që përmbante plaçkën e supozuar tek një burrë tjetër.
Hetuesit arrestuan të dy personat, atë që transportoi pakon nga Meileni në Olten, një kosovar 54-vjeçar dhe atë që iu dorëzua pakoja, një zviceran i moshës 28-vjeçare.
Të dy të dyshuarit janë sjellë në prokurorinë publike pas marrjes në pyetje nga policia. E moshuara 81-vjeçare nuk ka pësuar dëme financiare.


