
Gjermania nuk ka të drejtë të ketë armë bërthamore
Edhe nëse bombat amerikane mbeten në Europë, dyshimet që mbjell Donald Trump lidhur me premtimin amerikan për NATO-n janë të dëmshme dhe minojnë besueshmërinë e kërcënimit nuklear. Gjermania, që gjithmonë është mbështetur tek SHBA synon tani të riorientojë politikën e saj të sigurisë. Bundeswehri do të duhet të armatoset më shpejt se ishte e planifikuar. Edhe për mburojën atomike po debatohet: Sa e vlefshme është ajo në këto rrethana kundër arsenalit të madh nuklear të Rusisë me më shumë se 5500 koka atomike?
Vetë Gjermania nuk lejohet të ketë armë atomike. Këtë e ka përcaktuar “Marrëveshja Dy plus Katër” e ribashkimit të Gjermanisë.
Në Europë vetëm Britania e Madhe dhe Franca kanë armë atomike, Brenda BE vetëm Franca. Një bashkëpunim i ngushtë duket rruga më e mirë. Por ka edhe kufizime: Forcat atomare britanike janë të lidhura ngushtë me ato amerikane dhe në rast konflikti i vihen në dispozicion NATO-s. Ndryshe është situata në Francë, që i jep rëndësi të madhe mëvetësisë së forcave të saj armatosura atomike. Ato nuk janë të varura nga strukturat e përbashkëta komanduese të NATO-s.
Franca zotëron sipas disa llogaritjeve 290 koka atomike që mund të komandohen nga nëndetëse atomike apo avionët luftarakë Rafale. Forcat e armatosura atomike duhet të mbrojnë “interesat vitale” të vendit, thuhet në doktrinën franceze. Sipas interpretimit francez ato njëkohësisht forcojnë edhe sigurinë e Europës duke vështirësuar kalkultimet e armiqve të mundshëm.

Ç’pamje do të kishte një bashkëpunim në këtë drejtim?
Në Paris thuhet, se fillimisht duhet zhvilluar një dialog intensiv. Informacionet mbi mënyrën e veprimit dhe planin strategjik të armëve atomike janë tejet të rëndësishme. Franca ka këtu përvojë me dekada, të cilën Gjermania nuk e ka.
Ajo që mendohet janë trajnime të përbashkëta të aviacionit luftarak francez dhe atij gjerman, thotë eksperti francez i sigurisë, Camille Grand nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. Kjo mund të përfshinte edhe aderimin e avionëve Rafale në Gjermani. Nuk bëhet fjalë, si u përfol në media për stacionim të avionëve luftarakë atomikë francezë apo infrastrukturë tjetër nukleare në Gjermani./DW


