The Plein Hotel, marka e njohur e stilistit me famë botërore Philipp Plein, e përuruar vetëm pak muaj më parë në Milano, ka zgjedhur Tiranën si qytetin e parë për t’u zgjeruar jashtë Italisë.
Grupi Plein ka nënshkruar së fundi marrëveshje ekskluzive me kompaninë shqiptare që operon në fushën e pronave të patundshme, X One shpk, e drejtuar nga Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, e cila nga ana e saj ka nisur punën për ndërtimin e projektit ambicioz, Grand Park Skyline në zemër të Tiranës, në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial (te ish Garda e Republikës). Përmes një spektakli unik, Grupi Plein dhe X One prezantuan sot këtë bashkëpunim të ri që premton sukses.
Struktura luksoze Grand Park Skyline, që përfshin 3 kulla (dy rezidenciale dhe një hotel) është projekti më i ri në kryeqytetin shqiptar, i cili do të ndryshojë horizontin e Tiranës, ndërsa marrëveshja me grupin e Philipp Plein synon të krijojë një hapësirë të jashtëzakonshme luksi, mode dhe argëtimi, duke e transformuar atë në një destinacion ekskluziv.
Një eksperiencë luksoze me emrin Philipp Plein
Kullat e projektuara përfshijnë një hotel me 5-yje, që tani do të mbajë emrin brand The Plein Hotel, me të paktën 150 dhoma, 100 rezidenca me shërbime 24/7, e menduar për një klientelë të zgjedhur. Në brendësi të kompleksit do të jetë edhe një lokal brand me emrin Philipp’s, një restorant japonez ‘Sukaru Ba’ dhe një klub ekskluziv ‘Crystal Beach’, të gjitha sipas modelit të testuar tashmë me sukses nga The Plein Hotel i Milanos.
Çdo detaj i projektit do të reflektojë brandin e markës, me një dizajn unik dhe një ofertë shërbimesh që do të pasqyrojë luksin dhe stilin karakteristik të Philipp Plein. Dizajni i brendshëm do të kurohet personalisht nga fashion designer-i bavarez dhe ekipi i tij i arkitektëve, për të garantuar një eksperiencë unike dhe në koherencë me vlerat e markës së famshme.
E ardhmja e luksit në Tiranë
Ky projekt ambicioz përfaqëson jo vetëm një hap domethënës për zgjerimin ndërkombëtar të markës, por konsolidon edhe pozicionin e X One si lider në fushën e hotelerisë së luksit në Shqipëri. Koha e parashikuar e ndërtimit të Grand Park Skyline është afërsisht 5 vjet, me një hapje të pritshme rreth vitit 2030, ndërkohë që prenotimet për rezidencat e luksit kanë filluar prej një muaji.
Për Grupin Plein, kjo marrëveshje përfaqëson një tjetër gur themeli në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të markës Philipp Plein dhe të pikave të saj të hotelerisë, argëtimit dhe gastronomisë.


