TIRANË– Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka bërë të ditur se ai është përjashtuar nga lista e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 Majit.
Sula përmes një reagimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se ai është njoftuar se nuk do të kandidojë në Qarkun e Elbasanit, pasi atij i është thene se je; “SPAKIST”.
REAGIMI I PLOTË I DASHNOR SULËS:
Partia Demokratike ka hyrë në fazën finale të listës për betejën e 11 majit. Por a po respektohen kriteret e Statutit të PD dhe te trumbetuara ne media?!
Në 4 vite si deputet kam denoncuar kontrabandën e naftës, braktisjen e bujqësisë e shumë të tjera.
Instituti i Studimeve Politike më ka renditur disa herë te 10 deputetët më aktivë të Parlamentit në Opozitë bërje.
Çdo ditë kam mbrojtur interesin e votuesve duke denoncuar në media dhe duke mbrojtur edhe Partinë Demokratike.
Për asnjë moment gjatë kësaj legjislature nuk kam vënë në dyshim vetëm një gjë: mbështjetjen time në çdo dalje në foltoren e Parlamentit të strukturave të Reformës në Drejtësi, SPAK dhe GJKKO-së. Kam besuar dhe besuar dhe vazhdoj të besoj se ato po vazhdojnë ti bëjnë një shërbim të madh këtij vendi, kanë futur në burg njerëz me pushtet, që pak vite më parë as mund të mendoheshin se do të ishin në këtë situatë.
Për veten nuk kam asnjë keqardhje, kur e nisa këtë rrugë në 2005 as e kisha menduar se do rrija në politikë për 20 vjet. Të vetmen keqardhje e kam për demokratët e qarkut të Elbasanit dhe ata mijëra që kam njohur e takuar këto 2-3 muajt e fundit në Diasporë.
Në fund kam edhe një mesazh për ata që janë ngujuar në kullë e po bëjnë listën e qarkut të Elbasanit, jo kushdo që do të futet në atë listë të mbyllur mund t’i gëzojë votat e demokratëve të Elbasanit, Peqinit, Cerrikut, Belshit dhe Gramshit. Keq më vjen, por nuk i keni bërë mirë llogaritë… ftoj të gjithë demokratët që për më shumë të më ndjekin sot në orën 21:00 në media./Radar.al


