KAKAVIJË– Ka mbërritur në territorin shqiptar trupi i pajetë i Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare.
Është transportuar me rrugë tokësore nga Greqia drejt Shqipërisë, ndërsa pas një ceremonie në Gjirokastër ku është pritur nga dhjetëra besimtar, arkemorti do të sillet në Tiranë.
Pritja e shenjtërimit dhe homazhet për Kryepeshkopin Anastas Janullatos, do të mbahen në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë të martën, sot më 28 Janar, në orën 16:00.
Ceremonia e varrimit do të bëhet dy ditë më vonë, të enjten e 30 Janarit, ku Kryepeshkopit Anastas do t’i jepet lamtumira e fundit pas liturgjisë hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në orën 11:00. Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë dhe patriarkë nga kishat ortodokse në botë.
Nga Athina mësohet se do të jenë të pranishëm në varrimin e tij kryeministri, Kyriakos Mitsotakis dhe kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Ieronymos./Radar.al

Mbërrin në Kakavijë arkëmorti i Kryepeshkopit Anastas Janullatos


