Një rrufe gjigante me gjatësi rekord prej 829 kilometrash ka hyrë në librin e rekordeve si më e gjata e regjistruar ndonjëherë, duke thyer rekordin e mëparshëm me 61 kilometra.
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) bëri të ditur se rrufeja, e cila u shtri nga Teksasi Lindor deri në Kansas City, daton nga tetori 2017, por u identifikua si rekord vetëm pas analizave të detajuara me të dhënat e satelitëve amerikanë GOES-16 dhe GOES-17.
“Për ta përshkuar këtë distancë, një makinë do të duhej tetë deri në nëntë orë, ndërsa një avion të paktën 90 minuta,” theksoi WMO në raportin e saj.
Ekspertët paralajmërojnë se këto zbulime nënvizojnë rëndësinë e paralajmërimeve të hershme për sigurinë publike, pasi rrufetë me gjatësi të tillë përbëjnë rrezik për aviacionin, mund të shkaktojnë zjarre dhe vazhdojnë të marrin qindra jetë çdo vit në mbarë botën.


