Emisioni investigativ Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes një tjetër rast mashtrimi që lidhet me premtimet për sigurimin e letrave të punës në vendet e Bashkimit Europian. Një qytetar shqiptar tregoi për emisionin se në vitin 2024 kishte rënë pre e një mashtrimi, pasi kishte kontaktuar me një person që ofronte viza pune për në Sllovaki.
Sipas denoncuesit, personi në fjalë i ishte rekomanduar nga një shok dhe prezantohej si Elton Musaj, me origjinë nga Berati. “E kontaktova me rekomandim. Na thanë se nxirrte letra pune për në Sllovaki. Ai kërkoi 1500 euro për person”, tregon qytetari. Ai shton se, bashkë me dy miqtë e tij, kanë paguar në total 4500 euro.
“Pagesat janë bërë kryesisht përmes pikave të transfertave të parave, për të cilat kemi edhe faturat. Një pjesë e vogël iu dorëzua atij në dorë. Gjysmën e parave e dërguam në emrin e tij, pjesën tjetër në emër të një shtetasi serb që ai na tha se ishte partner”, tregon qytetari.
Denoncuesit disponojnë edhe një audio-ku, Elton Musaj dëgjohet duke u thënë se dokumentet kishin mbërritur dhe se do të bëhej aplikimi për gjurmët e gishtave. “Tani ça fati të keni vëlla. Kur të vijë thirrja nga policia, do ju njoftojnë disa ditë më parë…”, dëgjohet të thotë ai në regjistrim.
Sipas qytetarit, pagesat janë kryer në tetor të vitit 2024, por deri në muajin prill 2025, nuk ka pasur asnjë zhvillim. “Na kanë gënjyer ditë pas dite. Tani nuk na përgjigjet as në telefon. Duam ta denoncojmë që të mos mashtrojë edhe të tjerë”, thekson ai.
Gazetarët e Fiks Fare arritën të kontaktojnë me Elton Musajn, i cili pranoi se kishte marrë paratë. “Po, i kam marrë unë. Do t’ua kthej, por s’kam pasur mundësi. I njihja disa persona në Serbi që punonin me dokumente, por tani ai s’ma hap më telefonin. U thashë djemve që do ua kthej, se përgjegjësia më mbeti mua”, u shpreh Musaj.
I pyetur nëse vepronte si agjenci apo individ, ai deklaroi se nuk kishte ndonjë strukturë zyrtare. “Nuk kam agjenci. E bëra për të ndihmuar, por gjërat dolën jashtë kontrollit. Do ua kthej me këste”, tha ai. Sipas Musajt, aplikimet për punësim në Sllovaki janë mbyllur dhe tani ai nuk ka mundësi të zgjidhë çështjen, pasi edhe kontakti me personin serb është ndërprerë.
Pavarësisht presionit të gazetarit për shpjegime dhe zgjidhje konkrete, Musaj vazhdoi të përsërisë se do t’ua kthejë paratë gradualisht.


