Në Ditën e Pavarësisë, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka uruar të gjithë shqiptarët, duke e cilësuar këtë datë si një moment reflektimi mbi rrënjët e shtetit shqiptar dhe vizionin e themeluesve të tij.
Peleshi thekson se trashëgimia e aktit të 28 Nëntorit dhe dokumentet themeltare të shtetit shqiptar mbeten busull historike për të orientuar të ardhmen e vendit.
“Nga faqet që shkruajnë historinë, te dita që na bashkon të gjithëve. Dokumentet themeluese të shtetit shqiptar janë udhërrëfyesit tanë historikë, duke na kujtuar se liria dhe shtetësia jonë lindën nga ato faqe që i dhanë formë Shqipërisë. Ato shënojnë momentet tona identitare dhe ambicien për një Shqipëri të lirë, sovrane dhe europiane. Nderim për themeluesit tanë dhe rrugën shtetformuese që ata shtruan me vizion dhe guxim”, shprehet ai.
Për të shënuar këtë ditë, kreu i Kuvendit ka publikuar edhe një video simbolike, ku paraqitet libri me Aktet Themeluese të Shtetit Shqiptar 1912–1922, duke sjellë në vëmendje momentet kyçe të shtetformimit dhe rëndësinë që këto dokumente kanë për edukimin e brezave të rinj.


