Një skandal i rëndë ka shpërthyer në Greqi, ku rreth 200 zyrtarë të lartë publikë janë zbuluar të përfshirë në një skemë të sofistikuar pastrimi parash përmes kompanive ligjore të basteve sportive.
Presidenti i Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave, ish-zëvendësprokurori i Gjykatës së Lartë, Charalambos Vourliotis, deklaroi se është zbuluar një mekanizëm ku paratë e korrupsionit maskoheshin si fitime nga lojërat e fatit. Shumat e luajtura shkonin nga 1 mijë deri në 1 milion euro, duke i kaluar shumëfish të ardhurat e ligjshme të këtyre individëve.
Të përfshirë janë drejtorë ministrish, drejtues shërbimesh publike dhe nëpunës të tjerë të lartë, të cilët hapnin llogari online në kompani bastesh, ku depozitonin shuma të mëdha cash. Përmes një rrjeti prej rreth 10 kompanish bastesh dhe dyqanesh të zakonshme – si minimarkete, stacione karburanti apo dyqane ushqimore – paratë futeshin në sistem dhe më pas kalonin në llogaritë bankare personale, duke marrë “petkun e ligjshmërisë”.
Hetimi i specializuar, i zhvilluar për disa muaj nga Autoriteti Kundër Pastrimit të Parave, ka identifikuar tashmë të gjithë zyrtarët e përfshirë. Po krahasohen deklaratat tatimore me shumat e basteve, ndërsa dyshohet se kjo skemë është përdorur gjerësisht për pastrimin e parave të zeza në vend.


