Një 18-vjeçare italiane ka kallëzuar në polici se është përdhunuar nga një 26-vjeçar shqiptar në orët e para të mëngjesit të 5 shtatorit, në një zonë plazhi përballë një hoteli në lagjen nr. 13 të Durrësit.
Ngjarja e rëndë, e cila po hetohet nga autoritetet, u denoncua nga vajza në prani të një psikologeje. Ajo tregoi se pasi ishte ndarë për disa momente nga grupi i shoqërisë me të cilin kishte konsumuar edhe alkool, ishte ulur në një shezlong rreth orës 05:30. Sipas dëshmisë, në atë moment iu afrua një person i cili e sulmoi dhe, pavarësisht rezistencës së saj, e përdhunoi. Vajza ka shfaqur edhe shenja të dukshme dhune, të dokumentuara nga mjekësia ligjore.
Policia arrestoi në flagrancë Leonardo Prezën, 26 vjeç, i njohur më parë për precedentë penalë në armëmbajtje pa leje dhe vjedhje. Ai është identifikuar nga e reja si autori i ngjarjes.
Në dëshminë e tij, Preza e ka mohuar akuzën, duke deklaruar se marrëdhëniet me vajzën kanë qenë konsensuale.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.


