Manchester United ka zyrtarizuar afrimin e parë të merkatos së verës, duke prezantuar mesfushorin brazilian Andrey Santos. Futbollisti 22-vjeçar largohet nga Chelsea për t’iu bashkuar “Djajve të Kuq”, ku ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon.
Sipas raportimeve, marrëveshja mes dy klubeve arrin në 48 milionë paund, ndërsa shuma totale mund të shkojë deri në 50 milionë paund përmes bonuseve të parashikuara në kontratë.
Santos iu bashkua Chelseat në fillim të vitit 2023 nga Vasco da Gama, por nuk arriti të siguronte një vend të qëndrueshëm në formacionin londinez. Një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të tij e kaloi në huazim te Strasbourg, ku spikati me paraqitje bindëse dhe mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Gjatë sezonit të fundit, braziliani regjistroi 47 paraqitje në të gjitha kompeticionet me Chelsean, 26 prej tyre si titullar, ndërsa në Premier League e nisi nga minuta e parë vetëm në 13 ndeshje.
Pas firmës me Manchester United, Santos shprehu entuziazmin për këtë hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
“Është një ëndërr e bërë realitet. Manchester United është një klub me histori të jashtëzakonshme dhe mezi pres të luaj para tifozëve. Do të jap gjithçka në fushë, do të luftoj për çdo top dhe do të bëj maksimumin për këtë fanellë”, deklaroi mesfushori brazilian.
Ndërkohë, drejtuesit e Manchester United vijojnë të jenë aktivë në merkato dhe pritet të tentojnë edhe afrime të tjera për të forcuar skuadrën për sezonin e ri.


