Franca dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje kuadër për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Kievit, e cila përfshin blerjen e 16 avionëve luftarakë “Rafale” dhe armatimin përkatës.
Presidenti francez Emmanuel Macron bëri të ditur se avioni i parë pritet të dorëzohet dhe të jetë në përdorim në hapësirën ajrore ukrainase gjatë viteve 2028-2029.
Për të përforcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, marrëveshja parashikon gjithashtu blerjen e baterive të reja kundërajrore SAMP/T, të cilat do t’i bashkohen sistemeve të tjera dhe raketave që pritet të dorëzohen në javët e ardhshme.
Paketa përfshin edhe dërgimin e radarëve, si dhe dhënien e licencave për Ukrainën për prodhimin e bombave AASM, raketave kundërajrore “Aster 30” dhe raketave të lundrimit “Scalp”.
Deklarata u bë pas samitit të vendeve të “Aleancës së Gatishmërisë” në Paris, ku Macron u takua edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas liderit francez, forca shumëkombëshe që do të angazhohet në Ukrainë pas përfundimit të luftimeve do të nisë përgatitjet dhe stërvitjet në vendet fqinje të Ukrainës gjatë muajve të ardhshëm.
“Do të vendosen në vendet fqinje të Ukrainës për të vërtetuar planet tona të zhvillimit dhe për të treguar se jemi të gatshëm, të vendosur dhe të besueshëm”, deklaroi Macron pas samitit.


