Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka bërë të ditur se vendi po ofron një mjedis “diskret dhe të besueshëm” në Burgenstock për zhvillimin e bisedimeve që lidhen me zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas autoriteteve zvicerane, diplomatë nga vende të ndryshme që ndodhen aktualisht në Burgenstock po vijojnë përpjekjet për të mbajtur të hapur dialogun dhe për të mbështetur procesin diplomatik.
“Për arsye konfidencialiteti, nuk mund të jepen informacione të mëtejshme lidhur me të pranishmit ose diskutimet”, deklaroi ministria.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian nënshkruan në mënyrë elektronike “Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit”, i ndërmjetësuar nga Shehbaz Sharif.
Sipas informacioneve të publikuara, memorandumi synon të krijojë kushtet për uljen e tensioneve mes palëve, t’i hapë rrugë përfundimit të konfliktit dhe të mundësojë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.


