Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë Parkun Kombëtar Müritz, në verilindje të Gjermanisë, duke djegur rreth 400 hektarë tokë. Në operacionin për vënien nën kontroll të flakëve janë angazhuar rreth 370 zjarrfikës, efektivë policie, punonjës të pyjeve dhe ushtarë.
Sipas autoriteteve lokale, kushtet e motit, të karakterizuara nga mungesa e reshjeve dhe erërat që fryjnë nga perëndimi, kanë favorizuar përhapjen e zjarrit. Parashikimet tregojnë se flakët mund të avancojnë drejt lindjes dhe juglindjes gjatë fundjavës.
Zjarri u raportua për herë të parë të hënën dhe, për shkak të rrezikut, ka detyruar autoritetet të evakuojnë disa fshatra në më shumë se një rast.
Puna e ekipeve të emergjencës është vështirësuar nga fakti se një pjesë e zonës së prekur ka shërbyer dikur si poligon ushtarak dhe ende përmban mjete shpërthyese të pashpërthyera, duke kufizuar ndërhyrjen në disa sektorë.
Helikopterët e Bundeswehr-it vijojnë të mbështesin operacionet nga ajri dhe pritet të vazhdojnë misionet deri në orët e pasdites, nëse kushtet atmosferike mbeten të favorshme dhe nuk zhvillohen stuhi.
Zjarrfikësit janë përqendruar kryesisht në pjesën lindore të zonës së prekur, e cila konsiderohet më e sigurt për ndërhyrje, ndërsa punonjësit e pyjeve po mbajnë të lira rrugët e aksesit për të garantuar lëvizjen e mjeteve dhe ekipeve të emergjencës.


