Kostoja e luftës në Ukrainë po rëndon gjithnjë e më shumë mbi ekonominë ruse dhe, sipas mediave ndërkombëtare, Kremlini po kërkon që një pjesë e faturës të paguhet nga njerëzit më të pasur të vendit.
Një investigim i medias së pavarur “The Bell” bën të ditur se në fund të muajit mars presidenti Vladimir Putin zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me oligarkët më të fuqishëm të Rusisë. Gjatë këtij takimi, ai u kërkoi të kontribuonin financiarisht në buxhetin e shtetit, me synimin për të mbështetur ekonominë në kushtet e vazhdimit të luftës.
Përgjigjja erdhi menjëherë. Sipas raportimeve, disa nga emrat më të njohur të biznesit rus, mes tyre Suleiman Kerimov, Vladimir Potanin dhe Oleg Deripaska, premtuan donacione që në total arritën në rreth 430 miliardë rubla, ose afro 5 miliardë euro.
Por, sipas të njëjtave burime, këto kontribute nuk kanë qenë krejtësisht vullnetare. Që prej vitit 2024 autoritetet ruse kanë shtuar rastet e konfiskimit të pronave dhe kompanive të biznesmenëve që mbajnë kapital jashtë vendit ose nuk i përgjigjen kërkesave të Kremlinit. Fillimisht në shënjestër ishin asetet industriale, por më pas kontrollet u shtrinë edhe te pronat e mëdha private, duke u mbështetur në rivlerësimin e privatizimeve të viteve ’90.
Në mesin e rasteve më të bujshme është konfiskimi i aeroportit Domodedovo, ndërsa sekuestrime janë kryer edhe ndaj aseteve të miliarderëve Denis Shtengelov dhe Vladimir Moshkovich.
Ndërkohë, sipas raportimeve, biznesmeni Andrey Melnichenko shmangu shtetëzimin e kompanisë së tij të energjisë pasi dhuroi 32 miliardë rubla për një qendër arsimore të themeluar nga Vladimir Putin.
Në të njëjtën kohë, mediat pranë Kremlinit kanë mbështetur hapur këto masa. Mesazhi është i qartë: në kohë lufte, pasuria private duhet t’i shërbejë interesit të shtetit.
Përballë këtij presioni, shumë oligarkë po kërkojnë mënyra për të mbrojtur kapitalin. Sipas një investigimi të “Bloomberg”, dhjetëra miliarda euro janë transferuar jashtë Rusisë përmes kriptovalutave. Dubai mbetet destinacioni kryesor, ndërsa Kirgistani po shfaqet si një qendër e re për lëvizjen e këtyre fondeve.


