Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot nga Gramshi se rreth 200 banorë janë evakuuar si masë urgjente për shkak të përhapjes së zjarreve në zonë.
“Nxorëm në mënyrë të menjëhershme urdhrin e evakuimit të fshatit Kullollas dhe më pas të Skënderbegasit, që ishte vatra e dytë e rrezikshme, me një kurorë pishash që mori flakë menjëherë”, tha Vengu në një prononcim për mediet.
Ai bëri të ditur se në terren po operojnë katër helikopterë të Forcave Ajrore shqiptare dhe të forcave aleate, të cilët do të vazhdojnë ndërhyrjen deri në mbrëmje.
“Po përpiqemi të garantojmë një natë sa më të qetë, pavarësisht se vatra do të vazhdojë të shkaktojë shqetësime dhe përhapje. Situata meteorologjike dhe terreni e bëjnë operacionin shumë të vështirë”, shtoi ministri.
Vengu theksoi se Forcat e Armatosura janë vendosur masivisht në mbështetje të Gramshit dhe fshatrave përreth, ndërsa Prefekti ka marrë udhëzime për të vënë në dispozicion mjetet e nevojshme jo vetëm të bashkisë vendore, por edhe të të gjitha bashkive të qarkut.


