Mbi 220 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre në Francën jugperëndimore dhe Spanjën qendrore, ndërsa zjarret e mëdha pyjore vijojnë të përhapen me shpejtësi dhe mbeten jashtë kontrollit.
Numri i të evakuuarve u rrit ndjeshëm pasi gjatë natës më shumë se 60 mijë banorë u larguan nga zonat pranë Bordeaux, në jugperëndim të Francës. Situata ka detyruar autoritetet spanjolle të shpallin gjendjen e emergjencës kombëtare, ndërsa në Francë është urdhëruar evakuimi i plotë, si nga toka ashtu edhe nga deti, i disa zonave të rrezikuara.
Në gadishullin Cap Ferret, pranë Bordeaux, autoritetet kanë organizuar evakuime fshat më fshat, ndërsa flakët vazhdojnë të avancojnë, raportojnë BBC dhe The Guardian.
Në departamentin e Girondës janë evakuuar komunat Saint-Médard-en-Jalles (33 mijë banorë), Saint-Jean d’Illac (9,600), Martignas-sur-Jalles (8 mijë) dhe Saint-Aubin de Médoc (7,800), të gjitha pranë ose brenda zonës metropolitane të Bordeaux.
Sipas prefekturës lokale, zjarri, që shpërtheu në veri të pellgut të Arcachon, ka përfshirë rreth 19 mijë hektarë tokë dhe ka shkatërruar mbi 100 ndërtesa vetëm në tre ditë. Autoritetet vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa kushtet e motit dhe temperaturat e larta po e vështirësojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve.


