Një zjarr i rënë në zonën e Pelivorit, pranë fshatit Gostivisht në bashkinë Kolonjë, ka shkaktuar dëme të shumta materiale, ndërsa nuk raportohen të lënduar.
Flakët përfshinë një stallë bagëtish, ku u dogjën rreth 40 kuintalë misër dhe elb, si dhe afro 150 dëngje jonxhë. Dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së pronarit në ambientin ku ai ndodhej.
Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse të Kolonjës me dy mjete, të cilat arritën të vënë nën kontroll dhe të shuajnë flakët.
Falë reagimit të shpejtë, u shmang përhapja e zjarrit drejt një zone pyjore me lisa pranë stallës, duke parandaluar dëme edhe më të mëdha në mjedis.


