Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një kompleks banimi përballë Spitali Nënë Tereza, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Flakët kanë përfshirë fasadën e jashtme të pallatit, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën përreth. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe tre mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre në ndërtesat pranë.
Si pasojë e situatës, është bërë evakuimi i banorëve. Në pamjet nga vendi i ngjarjes shihet edhe një nënë që largohet me shpejtësi nga pallati, duke mbajtur foshnjën në krahë, në një moment të mbushur me tension dhe frikë.
Deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Shkaku i rënies së zjarrit mbetet ende i paqartë, ndërkohë që autoritetet vijojnë hetimet.


