Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat në zonën e Llamanës, në jug të qytetit të Himarës, ku flakët kanë djegur kryesisht sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.
Në terren ndodhen 17 efektivë të shërbimit zjarrfikës, forca të Policisë së Himarës dhe strukturat e Emergjencave Civile, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Situata paraqitet problematike për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit. Tymi i dendur ka mbuluar zonën, ndërsa autoritetet po ndërhyjnë për ta mbajtur zjarrin nën kontroll dhe për të shmangur rrezikun që flakët t’u afrohen banesave.
Sipas autoriteteve, janë marrë të gjitha masat e nevojshme, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon.


