Zinedine Zidane është gjithnjë e më pranë marrjes së drejtimit të Kombëtares së Francës. Sipas raportimeve të fundit, Federata Franceze e Futbollit ka vendosur prej muajit nëntor t’ia besojë pankinën legjendës së futbollit francez, ndërsa zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet gjatë këtij muaji.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se ish-trajneri i Real Madridit ka nisur tashmë përgatitjet për aventurën e re. Ai thuhet se ka përzgjedhur bashkëpunëtorët që do të bëjnë pjesë në stafin teknik, ndërsa mbetet vetëm formalizimi i kontratës.
Nëse emërimi konfirmohet, për 53-vjeçarin do të jetë rikthimi në pankinë pas katër vitesh larg futbollit. Zidane nuk ka drejtuar asnjë skuadër që prej largimit nga Real Madridi në vitin 2021, ku ndërtoi një nga periudhat më të suksesshme në historinë e klubit, duke fituar tre trofe radhazi të Ligës së Kampionëve, përveç titujve të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë.
Drejtimi i Kombëtares së Francës ka qenë prej kohësh objektivi i madh i Zidane. Si futbollist, ai udhëhoqi “Gjelat” drejt fitimit të Kupës së Botës në vitin 1998 dhe Kampionatit Evropian në vitin 2000, duke u shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të futbollit francez.
Në rast se marrëveshja zyrtarizohet, Zidane do të ketë për detyrë të udhëheqë Francën në kompeticionet e ardhshme madhore, përfshirë Ligën e Kombeve, Kampionatin Europian 2028 dhe Kupën e Botës 2030.
Me një brez futbollistësh që konsiderohet ndër më cilësorët në botë, pritshmëritë ndaj teknikut francez do të jenë të larta. Sfida e tij do të jetë ta shndërrojë potencialin e skuadrës në trofe dhe ta mbajë Francën mes pretendenteve kryesore në arenën ndërkombëtare.
Tashmë mbetet vetëm njoftimi zyrtar, i cili pritet të shënojë nisjen e një kapitulli të ri për kombëtaren franceze, këtë herë me Zinedine Zidane në rolin e trajnerit.


