Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen e ish-politikanes amerikane Nancy Guthrie. Sipas CNN, rrëmbyesi ose rrëmbyesit e dyshuar kanë kërkuar një shpërblim prej 6 milionë dollarësh për kthimin e saj të sigurt, duke kërcënuar me jetën e Guthrie nëse kërkesa nuk plotësohet deri në orën 17:00 të së hënës.
Kërkesa për shpërblim është bërë përmes një shënimi të dërguar në disa media lokale, përfshirë stacionin KGUN, ku thuhet se pagesa duhet të kryhet në Bitcoin. Një letër e ngjashme u është dërguar edhe mediave të tjera.
Fëmijët e Nancy Guthrie kanë reaguar publikisht në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për kthimin e nënës së tyre dhe duke deklaruar: “Ne do të paguajmë”.
Autoritetet amerikane kanë sqaruar se vendimi për pagesën e çdo shpërblimi i takon familjes. “Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me familjen dhe, ndonëse ofrojmë këshilla dhe rekomandime nga perspektiva e zbatimit të ligjit, çdo vendim për shpërblimin merret përfundimisht nga familja”, deklaroi javën e kaluar agjenti special i FBI-së, Heith Janke.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë vërtetësinë e një mesazhi të dytë të dërguar të premten në stacionin KOLD, i cili përmbante informacione të ndjeshme, por pa një afat të caktuar kohor, sipas një prezantuesi të medias.
Deri më tani nuk ka persona të dyshuar të identifikuar, ndërsa kërkimet për Nancy Guthrie vijojnë dhe rasti ka hyrë në ditën e tetë.


