Pesë ish-zyrtarë të Agjencisë së Legalizimeve në Vlorë janë marrë të pandehur dhe rrezikojnë dënim me dy muaj burg për akuzën e “kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në qendër të çështjes ndodhet Ardian Musta, ish-drejtor i ALUIZNI-t në Vlorë, së bashku me Adiseldo Rrapaj, Mimoza Rushani, Krupskaja Gjika dhe Ariton Kasaj, të cilët akuzohen se kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procedurat e legalizimit të një kompleksi ndërtimesh në zonën “Ambel Beach”, raporton Ora News.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, ish-zyrtarët dyshohet se kanë zhdukur dosjen e aplikuesit Ilir Koka, i cili kishte kërkuar legalizimin e disa objekteve në fshatin Dhërmi. Në vend të saj, dhe duke përdorur të njëjtin numër aplikimi, është përfshirë një dosje tjetër në emër të Helidon Gjikokës, që pretendonte të ishte ndërtuesi i 12 objekteve në të njëjtin kompleks.
Në seancën gjyqësore, prokurori Edmond Forfi ka kërkuar shpalljen fajtor të pesë ish-zyrtarëve dhe dënimin e secilit me nga dy muaj burg. Gjyqtarja Arbana Osmanaj pritet të shqyrtojë në seancën e radhës argumentet përfundimtare të mbrojtjes përpara se të japë vendimin përfundimtar.
Kjo nuk është hera e parë që ky grup përballet me drejtësinë. Ata janë përfshirë edhe më herët në hetime për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, të lidhura me skema për tjetërsim pronash në zona me vlerë të lartë në jug të vendit, përfshirë Vlorën, Dhërmiun dhe Himarën.
Hetimet tregojnë se ish-zyrtarët kanë vepruar në favor të biznesmenit Helidon Gjikoka, duke e ndihmuar atë të përvetësojë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 1,430 metrash katrorë tokë në zonën e njohur turistike “Perivollo” në Dhërmi.


