TIRANË– Në seancën “maratonë” sot në Kuvend, deputeti i PS-së Damian Gjiknuri tha se ka një kakofoni sikur formula e përdorur për listat e kandidatëve pa mbyll garën.
Më tej ai tha se në 2021 vetëm 3 kandidatë thyhen herësin, ndërsa me formulën e propozuar janë rreth 40 mandate në lojë.
“Referuar rezultateve të vitit 2021, vetëm 34 mandate duke mosllogaritur garancitë ligjore. Po të mos zbatoheshin kuotat gjinore do të kishim lëvizje vetëm 34 mandate, nëse do të zbatoheshin 22 mandate. Vetëm 22 mandate ishin në lojë. Kurse formula e sotme mundëson mbi 40 mandate. Bëjeni vetë krahasimin. Miti i mbylljes së konkurencës rrëzohet nga shifrat. Pse nuk lejoni partitë politike të zgjedhin vetë masën e votimit parapëlqyes? Ka disa parime që duhet të ndiqen nga çdo vend. Bazuar në këto parime ODHIR rekomandoi që në zgjedhjet e vitit 2005 që kush merrte më shumë vota, merr mandatin, e konsideroi shkelje serioze sepse konfuzon zgjedhësit dhe shkakton probleme në garë. E njëjta gjë u konsiderua edhe nga Komisioni i Venecias. Pazar Rama-Berisha? Gaboheni rëndë, u munduam për një reformë gjithëpërfshirëse, por nuk sollët asgjë konkrete si të përmirësohej procesi, por vetëm propozime që forconin pozitën tuaj politikë, ose për mbijetesë, ose në kurriz të grupimeve që ishin në opozitë. Ajo që ofrojmë është gatishmëri për kompromis politik në të mirë të Shqipërisë dhe mbështetje në çdo mjet që zgjedhjet e radhës të jenë edhe më të mira. Asnjë nuk ankohet më për administrimin e zgjedhjeve pasi çdo votë hapet dhe filmohet. Ky është vullneti i maxhorancës.”- ka thënë Gjiknuri në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit.


