Nga Gëzim Zilja
Ndeshja e “madhe” në Himarë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë përfundoi. Krerët e PD-së, të shndërruar në lukuni mamuthësh, përtacësh, llafazanësh, e konesh filluan, mjaullimat e lehjet për të njëmbëdhjetin vit rradhazi: qeveria ndërhyri, është ushtruar trysni, janë blerë vota, 6.000 karta identiteti nuk u aktivizuan, Tavua nuk është shqiptar, Celibashi është shërbëtor i Ramës, presidenti nuk na la kohë, etj. etj, të gjitha të vërteta. Po ku ndodheshin këta (nja pesëdhjetë deputetë të paktën) gjatë fushatës në Amazonë, duke gjuajtur krokodila e nuk po e shihnin se ç’po bëhej në Himarë? Pse nuk i paraprinë situatës e të merrnin një vendim si Parti? Si është e mundur që ata pakëz demokratë, që drejtuan fushatën por edhe të tjerë të mos bëjnë një analizë, të mos kthejnë kurrë gishtin nga vetja për të bërë pyetjen e thjeshtë: Pse nuk fitojmë dot kundër një kryeministri gangster me gjysmën e qeverisë në burg dhe gjysmën tjetër nën hetim, ku çdo ditë plas një skandal i ri me zyrtarë hajdutë, kriminelë e të korruptuar, me një shtet që ka marrë rrokullimin e njerëzit ia mbathin çdo ditë? Pse përkrahësit e PD-së në vend të shtohen pakësohen çdo ditë?! Le të shqyrtojmë me gjakftohtësi:
1. Socialistët zgjodhën si kandidat një minoritar nga Dropulli, njeri i besuar i Edi Ramës, që edhe frymë merr me lejen e Kryeministrit, me eksperiencë në qeverisje, dhe grekofon i thekur. Demokratët zgjodhën një filogrek, larguar prej tridhjetë vitesh në Amerikë. Vështirë që Petrua i Gjikurive, adhurues i kriminelit Spiro Spiromilo, që edhe parrullat e fotot i shkruante greqisht, tridhjetë vjet syrgjyn në Amerikën e Nikolla Gejxhit, të zgjidhej kryetar i Himarës. Se nga e gjetën, si e peshkuan, çfarë grepa e filledispanjë përdorën, me ç’vapor e sollën në Shqipëri, Petron, këtë mund ta dinë vetëm nja dy a tre vetë në PD. Zgjedhja e kandidatit në mënyrë të fshehtë e të papritur për mbarë demokratët e vuri PD-në në dizavantazh, pasi që në fillim, u pa qartazi që u shkel statuti, duke menduar se me ndihmën e grekofilëve të Athinës e të Amerikës do të mund të arrinte fitoren.
2.PD-ja nuk ka prej kohësh degë të saj në shumicën e fshatrave të Himarës. Edhe fshatrat historikisht votues me shumicë për PD-në tashmë janë rrudhur e zvogëluar. PD-ja këto tridhjetë vjet e ka parë Himarën si zotërim të Greqisë, ka lënë Dulet e Bejlerët të merren me të, si përfaqësues të organizatave të ultranacionalistëve grekë.
3.PD-ja gabon rëndë, duke u mbështetur tash tridhjetë vjet në figura të stërdiskredituara si Vangjeli e Bejleri, të dy antishqiptarë. Dule është bërë deputet disa herë me votat e demokratëve vetëm nga qëndrimi servil dhe puthadorë i PD-së ndaj qeverive greke. Në zgjedhjet e vitit 2021 duke përfituar nga sistemi zgjedhor dhe koalicioni “Bashkimi për fitore” ai doli deputet në Tiranë me vetëm 848 vota.
4. Krerët e PD-së në Tiranë as që e njohin atë trevë dhe kujtohen për të vetëm kur ka zgjedhje. Vendosja e Nokës në krye të fushatës nuk do sillte fitore edhe sikur ky të kalonte ylberin. Fjalimet e kuksianit dhe Petros së amerikanizuar, ishin shumë larg nga hallet dhe problemet e Himarës dhe dukej që Petros nuk i kërciste dhe aq shumë nëse humbiste. Nuk mund të pranojnë kandidat për kryetar Petron e Gejxhit fshatrat Vranisht, Kuç Buronja, Kuç, Bolenë, Kallarat, Tërbaç, Shën Vasil, Sasaj, Borsh, Fterrë Çorraj, Nivicë, Kudhës, etj. Atje ka të kuq, ka interesaxhinjë dhe plot kokëshqope që kanë partinë të parën, por në shumicë më parë duan Shqipërinë.
5. Mendoj se PD-ja këtë Gjikurinë e psonisi deri në Amerikë, duke menduar se lobi grek i Gejxhit në Amerikë, Athina zyrtare, Dule e Bejleri me të tijët do përkrahte Petron e amerikanizuar. Partia Demokratike ka bërë një gabim të tmerrshëm në zgjedhjen e kandidatit, duke shkelur statutin dhe duke vënë etjen për pushtet para interesave mbarëshqiptare.
6. Partia Demokratike vazhdon të punojë dhe marr vendime jo në bazë të statutit të ri. Kjo parti tashmë paraqitet e fragmentarizuar nga njerëz, që qëllim kryesor kanë kartën e deputetit dhe karrierën politike. Dakordësia me PS-në për sistemin zgjedhor i kryellafazanit, të PD-së, Bylykbashi, me lista ca të mbyllura e ca të hapura tregoi ( me përjashtim të dy deputetëve që u shprehën hapur kundër këtij vendimi Bujar Leskaj i Vlorës dhe Dashnor Sula i Peqinit ) se për sigurimin e kartonit të deputetit të tjerët, grup parlamentar, kryesi e kryetarë etj, shkelin statutin dhe shesin gjithçka. Ka ardhur koha që mamuthët e Partisë Demokratike si Spahot, Tritanët, Palokët,etj. të kontrollojnë zinxhirin e pantallonave kur dalin nga shtëpia, e të shkruajnë kujtimet. Ca të rinjë në moshë që dërdëllisin tash dhjetë-njëzetë vjetë, si plakat e lagjeve dikur, e nuk kanë kurrfarë lidhje me bazën duhet të kuptojnë ku e kanë vendin, të mos bëjnë ironira fshati me kryeministrin, duke dredhur tespijet si turku pas kafes. Sot Shqipëria është një republikë bananesh, e shokëve dhe shoqeve tontonë makutë. Misioni i Partisë Demokratike është një mision historik për rivendosjen e shtetit të së drejtës. Ajo ka nevojë për aksione politike, ta bllokojë këtë shtet të korruptuar, t’ia bëjë të pamundur qeverisjen dhe të kërkojë zgjedhje të parakohëshme. Kjo PD, me këta njerëz, që vetëm denoncon e kritikon, (veprime të nevojshme) që nuk hapet por është mbyllur në qyp, që sërish emëron e nuk voton, e ka humbur entuziazmin, vizionin, besimin te njerëzit dhe nëse vazhdon në këtë rrugë nuk vjen në pushtet as për njëqind vjet.