TIRANË– Ditën e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare International IDEA do të zhvillojë një takim në Tiranë, me fokus në teknologjinë, digjitalizimin dhe proceset zgjedhore.
Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar se institucioni që ai drejton ka nisur tashmë në fazë eksperimentale përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në shërbim të qytetarëve dhe administratës zgjedhore. Sipas tij, inteligjenca artificiale po përdoret për kërkimin dhe marrjen e informacionit zgjedhor përmes faqes zyrtare të internetit të KQZ-së, si dhe për ofrimin e asistencës ndaj administratës zgjedhore dhe subjekteve të tjera të përfshira në proces.
“Më 9 nëntor të këtij viti do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme për kryetarë të disa bashkive të vendit. Stafi i KQZ-së po punon për të aplikuar, për herë të parë, përdorimin e AI-së në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe në nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do të shërbejë si test dhe, për momentin, nuk do të zëvendësojë procedurën manuale të numërimit dhe vlerësimit të votave, e cila mbetet mënyra zyrtare e referimit.”- tha Celibashi.
Bashkitë që do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme janë Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena. Në tre bashki Berat, Mat dhe Tepelenë, kryetarët dhanë dorëheqjen për tu bërë deputetë. Në Cërrik, kryetari i bashkisë Andis Hasalla u emërua në kabinetin qeveritar si Ministër i Bujqësisë. Në Vlorë kryetari i bashkisë Ermal Dredha dha dorëheqjen pas sulmeve të Ramës. Ndërsa në Tiranë Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak me urdhër nga kryeministri Rama./Radar.al


