Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky njoftoi nisjen e riorganizimit të ndërmarrjeve publike të energjisë, përfshirë kompaninë e energjisë bërthamore Energoatom, e cila është përfshirë në një skandal të rëndë korrupsioni.
Sipas Zelenskyt, brenda një jave do të krijohet një bord i ri mbikëqyrës për Energoatom, pasi hetimet e agjencisë kombëtare anti-korrupsion (NABU) zbuluan një skemë kriminale që dyshohet se ka përvetësuar rreth 100 milionë dollarë fonde. Skandali çoi në dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë dhe Energjisë.
Riorganizimi do të prekë edhe kompani të tjera publike të sektorit, si ndërmarrjet e hidroenergjisë dhe ato të prodhimit e transportit të gazit. Zelensky paralajmëroi një audit të plotë financiar, si dhe ndryshime në drejtues dhe përfaqësues shtetërorë në bordet drejtuese.
Ndërkohë, sektori energjetik ukrainas vijon të përballet me sulmet e rënda ruse me raketa dhe dronë, që kanë shkaktuar ndërprerje masive të energjisë në të gjithë vendin. Bombardimi i fundit në Kiev, të premten, la shtatë viktima./Radar.al


