Një operacion i Policisë së Tiranës ka zbuluar një lokal në bulevardin “Zhan d’Ark”, i cili dyshohet se përdorej për organizimin e paligjshëm të basteve sportive dhe për veprimtari të lidhura me lëndët narkotike. Si rezultat i aksionit janë arrestuar pronari i biznesit dhe një klient.
Operacioni, i koduar “Vendtakimi”, u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në kuadër të kontrolleve për identifikimin dhe goditjen e ambienteve ku ushtrohen aktivitete të kundërligjshme.
Në pranga përfunduan shtetasit me iniciale Z. T., 56 vjeç, pronari i lokalit, dhe G. E., 33 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke vendosur baste sportive përmes telefonit celular.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit, shërbimet e policisë sekuestruan një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe tre telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e aktivitetit të paligjshëm të basteve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vijojë hetimet për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale dhe për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë.


