Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ushtria amerikane ka shumë gjasa të kryejë një tjetër sulm ndaj Iranit gjatë natës, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të përshkallëzohen.
Deklarata e Trump vjen pas përplasjes më të fundit mes Uashingtonit dhe Teheranit, ku forcat amerikane goditën dhjetëra objektiva iraniane, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve mbi anijet cisternë në Ngushticën e Hormuzit. Paralelisht, SHBA-ja riktheu edhe sanksionet ndaj sektorit iranian të naftës.
Nga ana tjetër, Irani reagoi duke ndërmarrë sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, duke rritur më tej tensionet në rajon.
Fillimisht, Trump u shpreh se besonte se armëpushimi me Iranin ishte arritur, por më vonë ndryshoi qëndrim, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin një tjetër operacion ushtarak.
Gjatë Samitit të NATO-s, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se do t’i jepte Iranit “një paralajmërim të vogël” përpara çdo veprimi të ri ushtarak.
“Do t’i godasim fuqishëm sonte, por do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha Trump.


