ELBASAN- Një bazë prostitucioni dhe trafiku droge është zbuluar dhe goditur në Elbasan ditën e sotme.
Nga ky operacion kanë përfunduar në pranga 4 gra nga Kolumbia dhe Republika Domenikane, kurse organizatori i aktivitetit ilegal është shpallur në kërkim.
Operacioni është kryer në Elbasan dhe u kodua “Streha”, i bazuar te hetimi me metoda proaktive, bashkë me prokurorinë.
“Foleja” e prostitucionit dhe drogës u lokalizua në një objekt 3-katësh, në lagjen “Visarjon Xhuvani”.
Arrestohen në ambientet e objektit, 4 shtetase nga Kolumbia dhe Republika Domenikane, të përfshira në këto veprimtari kriminale. Identifikohet dhe shpallet në kërkim organizatori. Sekuestrohen 0.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, 35.3 g lëndë narkotike Kokainë, shuma parash, armë sportive, celularë dhe sende të tjera që lidhen me dy veprimtaritë kriminale”, njoftoi policia vendore.
Gjatë ndërhyrjes në objekt, u arrestuan në flagrancë shtetaset e huaja, B. M., 35 vjeçe, D. G., 27 vjeçe, L. M., 25 vjeçe dhe J. B., 33 vjeçe. Gjithashtu, nga hetimi u identifikua organizatori i këtyre veprimtarive kriminale, A. T., 56 vjeç, që u shpall në kërkim./Radar.al


