TIRANË– Kanë dalë detaje të reja lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e cila ka ndodhur mbrëmjen e 8 Korrikut.
23-vjeçari dyshohet se është mbytur me litar pas prishjes së pazareve të drogës me katër autorët e dyshuar të krimit, Petrit Çakrri, dhe 3 vëllezërit, Fatjon, Kristi e Aleksandër Bushgjokaj.
Sot në emisionin “Kjo Javë” ka qenë i ftuar gazetari Igli Çelmeta ka tha se Renis Dobra u vra për 10 mijë euro, shuma që kishte kushtuar lënda narkotike në Gjermani, të cilën mendohet se Dobrës ia ka kapur policia.
Çelmeta tha se autorët i bënë pritë viktimës rreth 950 metra larg banesës së tij dhe se ishte babai i viktimës që ra në gjurmët e 23-vjeçarit fillimisht dhe më pas policia.
“Ngjarja ka ndodhur rreth 30 km larg nga ku është rrëmbyer Renis Dobra. Fillimisht ka qenë babai i cili ka gjetur shapkën e djalit në rrugë. Trupi është gjetur nga familjarët rreth orës 4 të mëngjesit. Pastaj është lajmëruar policia dhe ka nisur zbardhja e ngjarjes e ndihmuar edhe nga dëshmitë e familjarëve, të cilët kanë arritur edhe ata të sigurojnë pamje të kamerave, sidomos atyre afër banesës. Kjo ngjarje është e mirëmenduar dhe e përgatitur për ta vrarë”, tha gazetari.


