Në përpjekje për të garantuar një qytet funksional dhe të lirë për të gjithë, Bashkia e Tiranës i fton qytetarët të denoncojnë çdo rast zaptimi të hapësirave publike në aplikacionin “Tirana Ime”.
Çdo ndërtim pa leje në trotuare, lulishte apo hyrje pallatesh, që pengon lëvizjen e qytetarëve apo dëmton estetikën urbane, mund të raportohen në pak sekonda përmes këtij aplikacioni. Qytetarët kanë mundësi të ngarkojnë foto, të përshkruajnë rastin dhe të tregojnë vendndodhjen e saktë.
Pasi verifikohen nga strukturat e bashkisë, rastet e raportuara ndiqen me masa konkrete në terren, për të rikthyer hapësirën publike në funksion të komunitetit.
Bashkia thekson se angazhimi qytetar është thelbësor në ruajtjen e rendit urban dhe në ndërtimin e një Tirane të hapur, të pastër dhe pa pengesa për këmbësorët, familjet dhe kategoritë në nevojë.


