Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur se Serbia ishte i vetmi shtet pjesëmarrës në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore, të zhvilluar në Kiev, që nuk e nënshkroi deklaratën e përbashkët për mbështetjen e mëtejshme ndaj Ukrainës.
Në përfundim të samitit u miratua Deklarata e Kievit, me të cilën vendet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin për të vazhduar mbështetjen politike, ushtarake, financiare dhe të sigurisë për Ukrainën, si edhe bashkëpunimin për rindërtimin e vendit të dëmtuar nga lufta.
Dokumenti përfshin gjithashtu thirrje për rritjen e presionit ndaj Rusisë dhe për intensifikimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit.
Vuçiç u shpreh se vizita e tij në Kiev kishte për qëllim paraqitjen e qëndrimit të Serbisë për çështjet kryesore rajonale dhe ndërkombëtare. Ai theksoi se Beogradi vijon të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës, si edhe aspiratën e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Megjithatë, sipas mediave, Serbia vendosi të mos e nënshkruajë deklaratën për shkak të pjesëve që parashikojnë shtimin e presionit ndaj Rusisë, një vend me të cilin Beogradi ruan marrëdhënie të ngushta politike, ekonomike dhe energjetike.
Vizita e Vuçiçit në Kiev ishte e para e një presidenti serb në kryeqytetin ukrainas pas më shumë se dhjetë vitesh.
Gjatë qëndrimit të tij, presidenti serb premtoi rritjen e ndihmës humanitare për Ukrainën, duke përfshirë mbështetje financiare, mjekësore dhe energjetike.


