Lulzim Toçi, 31 vjeç, i dënuar në Itali për vrasjen e bashkëshortes së tij, ndërroi jetë në burgun e Santa Maria Capua Vetere në Caserta. Ngjarja ndodhi më 11 qershor, pak pas orës 13:00, në njësinë psikiatrike të institucionit, ku Toçi po mbahej nën vëzhgim për shkak të gjendjes së tij të rënduar mendore. Sipas ekspertizës mjekësore, ai vuante nga skizofrenia akute.
Toçi ishte arrestuar në tetor të vitit 2024, pasi kishte mbytur bashkëshorten e tij, Eleanor Toçi, 24 vjeç, në banesën e tyre në San Felice a Cancello. Krimi kishte ndodhur në prani të dy fëmijëve të çiftit, atëherë 6 dhe 4 vjeç. Ngjarja u zbulua përmes një telefonate me video, gjatë së cilës djali i madh i çiftit i tregoi trupin e pajetë tezes së tij. Ajo njoftoi menjëherë policinë, e cila e arrestoi Toçin para banesës së tij.
Gjatë hetimeve dhe seancave gjyqësore, Toçi dha disa versione kontradiktore mbi ngjarjen, duke mos qenë në gjendje të shpjegonte qartë motivet. Fillimisht foli për një debat të lindur nga tentativa për të dalë nga shtëpia në mesnatë, por më pas përshkrimet e tij ishin të paqarta dhe të çrregullta, duke lënë të kuptohej për praninë e halucinacioneve.


