Pas ngjarjes tronditëse të 6 tetorit, ku gjyqtari i Apelit të Përgjithshëm Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) zhvilloi një mbledhje urgjente me pjesëmarrjen e 260 gjyqtarëve nga i gjithë vendi.
Në përfundim të takimit, anëtarja e Gjykatës së Lartë Albana Boksi lexoi deklaratën e përbashkët të gjyqtarëve, ku kërkohet që i ndjeri Astrit Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa salla e mbledhjeve në KLGJ të mbajë emrin e tij.
“Ngjarja e 6 tetorit nuk duhet të mbetet kujtesë e dhunshme, por moment zgjimi kombëtar për drejtësinë shqiptare. Ne nuk kërkojmë keqardhje, por veprim, sepse një gjyqtar i pambrojtur është drejtësi e pambrojtur, dhe një drejtësi e pambrojtur është një qytetar i pashpresë”, thuhet në deklaratë.
Gjyqtarët theksuan angazhimin për të vijuar misionin e tyre “me paanshmëri, ndershmëri dhe kurajo”, duke e cilësuar vrasjen e Kalasë si një plagë të rëndë për sistemin e drejtësisë dhe një thirrje për veprim institucional.


