Policia e Fierit ka finalizuar një sërë operacionesh të fokusuara në kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë, duke vënë në pranga dy shtetas dhe duke proceduar penalisht një tjetër.
I arrestuari kryesor është Xh. Xh. alias Sh. Xh., 46 vjeç, banues në Karbunarë, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Sipas hetimeve, në bashkëpunim me shtetasin I. S., 31 vjeç, ai dyshohet se më 29 maj 2025 i ka vjedhur me dhunë automjetin një 41-vjeçari. Për të, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për kapjen e bashkëautorit 31-vjeçar.
Gjithashtu, A. P., 47 vjeç, banues në Lushnjë, me precedent penal për vjedhje me armë, u arrestua pasi gjatë kontrollit të automjetit iu gjet një shkop metalik, i sekuestruar në cilësinë e armës së ftohtë.
Në një tjetër rast, u procedua në gjendje të lirë A. G., 30 vjeç, banues në fshatin Shegas, pasi në automjetin e tij u gjet një pistoletë sportive, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.


