Vendimi për shkrirjen e Zyrës së Kadastrës në Vlorë dhe zhvendosjen e saj në Tiranë ka shkaktuar reagime mes punonjësve. Plot 55 prej tyre kanë firmosur një peticion, përmes të cilit kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
Sipas punonjësve, zhvendosja do të ndikojë negativisht si në funksionimin e institucionit, ashtu edhe në shërbimin ndaj qytetarëve të qarkut të Vlorës.
Vendimi është firmosur më 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ndërsa procesi i zhvendosjes parashikohet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Prej kohësh, Zyra e Kadastrës në Vlorë është përballur me probleme të vazhdueshme, të lidhura kryesisht me ndryshimet e shpeshta në drejtim.


