Kremlini beson se luftimet për ta zmbrapsur inkursionin e Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë do të zgjasin me muaj. Ndaj është duke tentuar ta përgatitë popullin për këtë “normalitet të ri”, thanë burime të afërta me administratën e presidencës ruse për uebsajtet Meduza dhe Verstka.
Rusia është duke e luftuar një inkursion tashmë dyjavor të Ukrainës në rajonin e saj kufitar, ku forcat e Kievit i kanë marrë nën kontroll 92 vendbanime dhe më shumë se 1.260 metra katrorë territor.
Këto dy portale thanë se inkursioni ukrainas e ka “tronditur” elitën ruse, por tani që tronditja fillestare ka kaluar, “ata janë mësuar me të”.
Në të njëjtën kohë, Kremlini është duke e përdorur makinerinë e vet propagandistike në përpjekje për t’i përgatitur rusët për jetën në kushte të “realitetit të ri” dhe “normalitetit të ri”, thanë burimet në kushte anonime, shkruan REL.
“Kremlini propozon t’i bindë rusët se një armik që futet brenda territorit rus do të përballet me ‘disfatë të pashmangshme’, por kthimi në kontroll i territoreve merr kohë dhe rusët duhet të presin”, tha njëri burim.
Elita ruse pret dorëheqje nga ata që ishin përgjegjës për lejimin e depërtimit të forcave ukrainase brenda territorit rus, një burim tha për Meduzan.


