Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar pjesëmarrjen në Samitin e Komunitetit Politik Europian që do të mbahet më 16 maj në Tiranë. Ai pritet të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar mbrëmjen e së enjtes.
I pyetur nga gazetarët në Beograd për pritshmëritë ndaj kritikave që mund të përballet pas vizitës së tij të fundit në Moskë dhe takimit me presidentin rus Vladimir Putin, Vuçiç tha:
“A pres reagime dhe sulme? Sigurisht që i pres.”
Në samitin që do të zhvillohet në Tiranë do të marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Takimi mbahet nën moton: “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.
Udhëheqësit europianë do të takohen fillimisht në një seancë plenare, ku fokusi do të jetë siguria dhe vizioni i përbashkët për të ardhmen e Europës.


