Një 24-vjeçar me origjinë shqiptare, Mario Nikprelaj, është dënuar me 18 muaj burgim nga drejtësia amerikane, pasi shkaktoi panik dhe rrezik serioz për jetën e pasagjerëve duke tentuar të hapte derën e avionit gjatë një fluturimi.
Lajmi u bë publik nga Zyra e Prokurorit të Distriktit të Iowa, vetëm shtatë muaj pas incidentit që për pak sa nuk u shndërrua në një tragjedi ajrore.
Çfarë ndodhi në avion
Ngjarja ndodhi në korrik të vitit të kaluar, në një fluturim të Delta Airlines, të operuar nga SkyWest, i cili udhëtonte nga Nebraska drejt Detroitit.
Sipas prokurorisë dhe raportimeve të mediave amerikane, Nikprelaj bëri deklarata shqetësuese dhe të papërshtatshme ndaj pasagjerëve dhe ekuipazhit, refuzoi të vendoste rripin e sigurimit dhe ngrihej vazhdimisht nga vendi i tij gjatë ngritjes së avionit, pavarësisht paralajmërimeve.
Situata u përshkallëzua kur 24-vjeçari u drejtua nga dera e avionit dhe tentoi ta hapte me forcë, duke shkaktuar panik të madh në kabinë.
Përleshje me stjuardesat, tragjedia u shmang në sekondën e fundit
Stjuardesat dhe anëtarë të ekuipazhit ndërhynë fizikisht, duke u përleshur me të dhe duke e neutralizuar, para se ai të arrinte të kryente veprimin fatal.
Falë reagimit të shpejtë të stafit, avioni nuk humbi presionin dhe nuk ndodhi asnjë aksident, por autoritetet amerikane e cilësuan ngjarjen si rrezik ekstrem për sigurinë ajrore.
Mario Nikprelaj, i lindur në Michigan, u deklarua fajtor dhe u dënua me 18 muaj burg federal, ndërsa pas përfundimit të dënimit pritet të jetë nën mbikëqyrje të autoriteteve.
Autoritetet amerikane theksuan se çdo ndërhyrje e paligjshme në sigurinë e fluturimeve konsiderohet krim i rëndë federal, që rrezikon jetën e dhjetëra personave.


