Një 22-vjeçar nga Vlora është vënë nën hetim penal pasi nuk iu bind urdhrit të policisë dhe kreu manovra të rrezikshme me automjetin e tij, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe duke penguar qarkullimin në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu, i identifikuar me inicialet D. Xh., ka xhiruar gomat e automjetit tip BMW në vendin e quajtur “Kapelja”, duke shkaktuar zhurmë dhe panik mes qytetarëve. Ai gjithashtu nuk i është bindur urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar.
Ndaj 22-vjeçarit janë ngritur akuzat për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”, ndërsa automjeti i tij është sekuestruar.
Krahas ndjekjes penale, shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Vlorës i vendosën të riut një gjobë prej 5,200 lekësh dhe i tërhoqën lejen e drejtimit, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor.
Policia e Vlorës u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin sjelljet që rrezikojnë sigurinë publike.


